"THE NEW YORK TIMES"
GJASHTË TË VDEKUR NGA PËRPLASJA E DY TRENAVE TË METROSË NË UASHINGTON
Dy trena të metrosë në Uashington u përplasën mbrëmë gjatë orëve të rënduara të trafikut duke shkaktuar vdekjen e gjashtë personave dhe plagosjen e 75 të tjerëve, gjashtë prej të cilëve shumë rëndë.
VDEKJA QË BËRI XHIRON E BOTËS, SIMBOLI I PROTESTAVE NË IRAN
Ishte nxehtë në makinë, kështu vajza dhe profesori i saj i muzikës dolën jashtë për të marrë ajër të pastër në anë të rrugës, jo larg nga vendi ku zhvilloheshin protestat antiqeveritare, ku ata nuk kishin guxim të merrnin pjesë. U dëgjua një e shtënë me armë dhe vajza, Neda Agha-Soltan, u rrëzua përtokë. “Po më djeg shumë,” tha ajo para se të vdiste. Videoja e përgjakshme e vdekjes së saj, që qarkulloi nëpër Iran dhe botë, e shndërroi vajzën 26-vjeçare në një simbol të protestave dhe lëvizjes antiqeveritare.
NDËRSA SHTYP ME DHUNË PROTESTAT, IRANI PRANON PARREGULLSI NË VOTIME
Organizmi më i lartë mbikëqyrës në Iran, Këshilli i Gardianëve ka deklaruar se numri i votuesve i regjistruar në 50 qytete kishte tejkaluar numrin real të votuesve me tre milionë, duke "nxirë" zgjedhjet presidenciale që ka nxitur sfidat më të mëdha për lidershipin iranian gjatë 30 viteve të fundit. Megjithëse Këshilli i Gardianëve ka pranuar parregullsitë gjatë zgjedhjeve të 12 qershorit, sërish këmbënguli se rezultati i përgjithshëm ishte i vlefshëm.
"THE WASHNGTON POST"
IRANI SHFAQ NJË PËRÇARJE NË ROLIN AMERIKAN
Në një debat në lidhje me mbështetjen për protestestuesit në Iran, kritikat e GOP (Partia Republikane) u dukën të ashpra kundrejt politikës së Jashtme të Obamës, që e cilësuan "si shumë e butë".
GABIM I OPERATORIT, APO SISTEMIT MUND TË JETË SHKAKU I PËRPLASJES
Ekspertë të fushës së operimit të metrove kanë deklaruar së një mosfunksionim i sinjalistikës së sistemit apo një gabim i operatorit të trenit mund të jenë shkaku për përplasjen e trenave në metronë e Uashingtonit.
"TRENI U HAP"
Pjesa e poshtme e trenit u shkatërrua dhe ra plotësisht dhe ndërkohë pasagjerët mund të ulnin kokën poshtë dhe të shikonin pjesën e sipërme metalike të trenit tjetër.
"THE GUARDIAN"
KËSHILLI I GARDIANËVE:' "NUK KA PATUR MANIPULIME APO SHKELJE" NË ZGJEDHJE
Një zëdhënës i Këshillit të Gardianëve, Abbas Ali Kadkhodaei, i cili citohej nga televizioni iranian "Press TV" që transmeton në gjuhën angleze, deklaroi se "organizmi nuk kishte zbuluar ndonjë mashtrim apo shkelje të rëndë gjatë zgjedhjeve". Si rrjedhojë, u shpreh ai, rezultatet zyrtare të zgjedhjeve nuk do të anulohen.
BERLUSKONI QESH NDËRKOHË QË SKANDALI THELLOHET
Kryemministri italian, Silvio Breluskoni përpiqet të vazhdojë normalisht jetën e tij, pavarësisht nga publikimet e fundit të bëra në lidhje me jetën e tij private.
SHBA-ja KUFIZON SULMET AJRORE NË AFGANISTAN
Gjenerali amerikan Stanley McChrystal po përpiqet të vendosë kufizime më strikte të sulmeve ajrore amerikane në Afganistan, në mënyrë që të minimizohen vdekjet aksidentale e civilëve.
“LE MONDE”
PRESIDENTI I INGUSHETISË PLAGOSET RËNDË NË NJË ATENTAT
Evkourov, 45 vjeç, hero i ushtrisë ruse në krye të Ingushetisë që prej tetorit të vitit 2008, u godit dje nga shpërthimi i një autobombe, ndërkohë që autokolona presidenciale po shkonte në Magas, kryeqyteti i republikës.
IRAN: KËSHILLI I GARDIANËVE PËRJASHTON ANULIMIN E VOTIMIT
Organi i lartë legjislativ e përjashtoi këtë mundësi, duke theksuar se nuk ka patur "parregullsi të mëdha".
GJASHTË TË VDEKUR PAS PËRPLASJES SË TRENAVE TË METROSË NË UASHINGTON
Gjashtë persona kanë gjetur vdekjen dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë një përplasjeje që ndodhi dje në orën e pikut mes trenave të metrosë në Uashington, aksidenti më i përgjakshëm i historisë së metrosë së Uashingtonit.
"LE FIGARO"
IRAN: NEDA, MARTIRE DHE IKONË NË INTERNET
Përdoruesit e faqes së internetit "Twitter" e shpalllën ikonë këtë vajzë të re në Iran, vdekja e të cilës nga plumbat është filmuar të shtunën gjatë manifetimeve. Neda u bë simboli i represionit të Ahmadinexhadit mbi opozitarët në Iran.
UASHINGTONI NDRYSHON TON DHE TAKTIKË NË AFGANISTAN
Shtabi i përgjithshëm amerikan kërkon të zvogëlojë humbjet në popullsinë civile duke kufizuar sulmet ajrore.
BILANCI I PAQARTË I REPRESIONIT IRANIAN
Përleshjet e së shtunës shkaktuan vdekjen e 13 manifestuesve, sipas televizionit shtetëror, por një ambasadë perëndimore jep bilancin me rreth 100 të vdekur gjatë tetë ditëve.
"IL CORRIERE DELLA SERA"
JEMEN SHPRESË PËR JETË PËR PENGJET, JANË GJALLË DHE NË DUART E REBELËVE
Televizioni Al-Arabiya bën të ditur se të huajt e rrëmbyer në veri të vendit më 12 maj mendohet të jenë në duart e një grupi shiit. Javën e kaluar janë gjetur kufomat e tre grave.
Shtypi boteror
23.06.2009
